Lajme

Nuk donin t’i jepnin vajzën se s’kishte shkollë, si e vranë 26 vjeçarin në Korçë tre autorët

Tre persona janë arrestuar këtë të shtunë, si autorë të dyshuar për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço, i cili u gjend i pajetë në një rezervuar në Maliq pak ditë më parë.

Bëhet me dije se në pranga kanë rënë shtetasit: Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj.

Policia bën të ditur se në trupin e 26-vjeçarit, janë konstatuar shenja në pjesën e fytit. Autorët kishin lënë shapkat e viktimës jashtë rezervuarit që të dukej si vetëvrasje.

Burime bëjnë me dije se shkak për vrasjen e të riut, dyshohet të jetë bërë një vajzë, me të cilën 26-vjeçari kishte lidhje. Por të afërmit e vajzës nuk kanë qenë dakort me këtë lidhje, pasi sipas tyre Martin Çeço nuk kishte as arsim 9 vjeçar.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë, në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq, ku u gjet i pajetë shtetasi M. Ç., 26 vjeç, banues në këtë fshat, i cili rezultonte i larguar nga banesa, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Marjani”. Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i tre autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasve:

– B. A., 38 vjeç, banues në fshatin Peshkopi, Pogradec (i dënuar më parë për vjedhje);

V. M., 43 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë;

– E. M., 35 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë.

Shërbimet e Policisë, pasi kanë nxjerrë nga rezervuari trupin e pajetë të 26-vjeçarit M. Ç., kanë krijuar dyshime se bëhej fjalë për një ngjarje kriminale, duke qenë se gjatë këqyrjes, në trupin e 26-vjeçarit, janë konstatuar shenja në pjesën e fytit.

Falë punës profesionale hetimore, provave dhe informacioneve të grumbulluara nga grupi hetimor, u dokumentua se tre shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12.06.2022, kanë marrë viktimën M. Ç., në fshatin Kolanec, dhe pasi e kanë vrarë (mbytur), për motive të dobëta, kanë hedhur trupin e tij në rezervuar, për të mbuluar ngjarjen dhe për të inskenuar një vetëvrasje të 26-vjeçarit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button